Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me Akademinë Olimpike Shqiptare kanë nisur projektin për promovimin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, me aktivitetin e zhvilluar në gjimnazin“Qemal Stafa”. Qëllimi i projektit ishte promovimi i Arsimit Olimpik, përmes ideve dhe jetës së themeluesit të olimpizmit, Baron Pierre de Coubertin. Të pranishëm në këtë takim ishin Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, Ambasadorja franceze, Catherine Suard dhe Bordi i Akademisë Olimpike.
Aktiviteti u përshëndet nga drejtoria e shkollës, ndërsa nxënësit e talentuar prezantuan momente të jetës së Coubertin në gjuhën frënge. Elementë të artit, kulturës dhe sportit, u ndërthurën me ngjyrat e Olimpiadës, duke e mbyllur aktivitetin me një ndeshje miqësore mes ekipeve të basketbollit të vajzave dhe djemve të shkollës “Qemal Stafa” dhe shkollës “Çajupi”.