Pas zbardhjes në fletoren zyrtare, nis zyrtarisht zbatimi i Kodit të ri Rrugor, të miratuar në Kuvend pak javë më parë, pas një dakordësie mes PD dhe PS. Një nga risitë është dhe përfitimi i uljes së gjobës së marrë me 50 % në rast se, ajo paguhet brenda një afati 15-ditor nga marrja e saj. Më herët, drejtuesit e mjeteve që paguanin një masë administrative brenda 5 ditësh, përfitonin 20 % ulje. Ligji i ndryshuar u botua në Fletoren Zyrtare me 6 prill 2023 dhe sipas nenit 21 të tij, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, që do të thotë të gjitha rregullat e reja kanë hyrë në fuqi më datë 21 prill 2023. Sa i takon lejeve të drejtimit afati i vlefshmërisë së tyre zgjatet me 5 vite. Konkretisht lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grupmoshave, ishin të vlefshme për 10 vjet, nëse janë lëshuar për persona deri në moshën 50 vjeç; 5 vjet, për ata që e kanë kaluar moshën 50-vjeçare dhe 3 vjet, për ata që i kanë kaluar të 70-at. Me rregullat e reja lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE sipas grupmoshave janë të vlefshme për 15 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç. Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara. Ndryshimet në Kodin Rrugor rrisin shpejtësinë maksimale të lejuar për të udhëtuar në autostradë nga 110 km/orë që ishte më përpara në 130 km/orë. Sipas rregullave të reja, për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtur jetën e njerëzve, shpejtësia maksimale nuk mund të kalojë 110 km/orë për autostradat, 90 km/orë për rrugët interurbane kryesore, 80 km/orë për rrugët interurbane dytësore e rrugët lokale interurbane dhe 40 km/orë për rrugët në qendrat e banuara. Drejtuesi i motomjeteve është i detyruar të bëhet i dallueshëm në trafik në kushtet e errësirës, duke mbajtur një jelek fosforeshent të homologuar. Kushdo që nuk zbaton këtë detyrim ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Drejtuesi i motomjeteve është i detyruar të bëhet i dallueshëm në rrugët interurbane nga gjysmë ore pas perëndimit të diellit deri gjysmë ore përpara lindjes së tij, si dhe ditën në raste mjegulle, kur ka borë, ka shira të fortë. Për ta bërë këtë, drejtuesi i motomjetit është i detyruar të përdorë jelek fluoreshent/fosforeshent të homologuar apo veshje teknike me elemente fosforeshente. Kushdo që nuk zbaton këtë detyrim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 1000 (një mijë) deri në 3 (tre mijë) lekë. Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije. Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të leje-drejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
Kodi i ri Rrugor, risitë për drejtuesit e mjeteve
RELATED ARTICLES