Në ambientet e Spitalit Infektiv u hap sot klinika ambulatore e rikonstrukturar e HIV-AIDS. Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër SIDA-s, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me mjekët e Spitalit Infektiv, ekspertë të shëndetit publik dhe përfaqësues të organizatave partnere që punojnë për luftën kundër HIV-AIDS, morën pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast në klinikën e rikonstruktuar në Spitalin Infektiv. Duke folur për mbulimin e të sëmurëve, ministrja Manastirliu e vuri theksin tek rëndësia e testimit për të sëmurët me HIV-AIDS. “Lajmi i mirë është që për vitin 2022 janë kryer mbi 50 mijë testime, ose 16 % më shumë se viti 2021, sidomos është rritur numri i testimeve për sa i përket grave shtatzëna. Pra nga 1600 gra që testoheshin në vitet e shkuara, vetëm për vitin 2022 janë mbi 5000 të cilat janë testuar për HIV/AIDS. Ajo çfarë është e rëndësishme për të kontrolluar sa më mirë infeksionin, por edhe për ta trajtuar sa më mirë atë është trajtimi dhe diagnostikimi i shpejtë. Ndaj fokusi i punës sonë këtu është përqendruar tek testimi, tek kapja e shpejtë e rasteve të cilët janë të prekura. Sigurisht rastet kanë një qëndrueshmëri, pra janë rreth 80, 97, 107, pra në këto shifra vjetore jemi për sa i përket të prekurve me HIV-AIDS ndër vite. Ne shumë shpejt nëpërmjet programeve tona dhe programit Global Fund do të fillojmë edhe vetëtestimin për HIV-AIDS. Do të jetë një hap sërish drejt një diagnostikimi më të shpejtë, sepse e gjithë lufta në këtë aspekt është diagnostikimi në kohë, diagnostikimi i shpejtë, në mënyrë që edhe trajtimi të fillojë sa më shpejt dhe të jetë në kontroll infeksioni”, tha Manastirliu. Duke folur për trajtimin e të prekurve nga HIV-AIDS, Manastirliu tha se garantohet plotësisht trajtimi me antiretroviralë për fëmijë dhe të rritur dhe nuk ka asnjë mungesë. “U fillua me 150 pacientë që merrnin terapi në vitet 2010-2011 dhe sot janë të gjithë pacientët në terapi dhe nuk kemi problematika dhe mangësi për sa i përket terapive antiretrovirale. Janë 792 raste apo qytetarë të cilët trajtohen me këto terapi. Terapitë, edhe përgjatë kohës së COVID nuk kanë munguar, në sajë tanimë të një financimi të qëndrueshëm të buxhetit të shtetit. Sigurisht edhe më pas të gjithë bashkëpunimeve ne kemi dhe të gjithë informacioneve në kohë reale edhe për terapi të reja, apo ato terapi të kombinuara që ne duhet të shtojmë për të siguruar maksimumin e aksesit në terapitë antiretrovirale, me qëllim që ky infeksion të mbahet në kontroll”, tha Manastirliu. Në Ditën Botërore të SIDA-s, mjekët bënë apel për rritjen e ndërgjegjësimit për testimin e shpejtë në mënyrë që të fillohet sa më parë terapia për të prekurit nga HIV-AIDS. Sa i takon të dhënave të infeksionit HIV në SHqipëri, vendi ynë është një vend me incidencë të ulët të përhapjes së këtij infeksioni. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë vitit 2022 janë identifikuar 80 raste të reja me HIV-AIDS. Gjatë këtij viti, numri më i lartë i rasteve të diagnostikuara i përket gjinisë mashkullore, ku nga 80 raste, 61 janë meshkuj. Sipas të dhënave, infektimi me virusin HIV nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura është mënyra kryesore e transmetimit; 96% e rasteve të diagnostikuara i përkasin kësaj mënyre. Për të gjithë personat që jetojnë me HIV mjekimi sigurohet falas nga shteti. Aktualisht 792 persona marrin mjekim me ARV, nga të cilët 780 janë të rritur në moshë dhe 12 janë fëmijë.https://ata.gov.al/2022/12/01/hapet-klinika-ambulatore-e-rikonstruktuar-e-hiv-aids-testim-e-trajtim-falas/
Klinika ambulatore e rikonstruktuar e HIV-AIDS, testim e trajtim falas
RELATED ARTICLES