Java e fundit e muajit Shkurt ka nisur me vranësira të shumta në të gjithë territorin e vendit të cilat në mesditë sipas meteorologëve pritet të gjenerojnë reshje shiu. Ndërsa në zonat malore rikthehen reshjet e borës. “Do të ketë një shtim të vranësirave, rritje të lagështirës në ajër, çfarë do të bëjë që të kemi prezente dhe reshjet e shiut. Më të dukshme priten të jenë në pjesën e dytë të javës. Reshjet do të jenë me intensitete të ulëta dhe lokalisht të ulëta duke bërë që herë pas here në ultësirën perëndimore të kemi prezente edhe rrebeshet e shiut. Ndërsa në zonat malore do të kemi një rishfaqje të reshjeve të dëborës. Në pjesën e dytë të javës do të jenë në sasira më të pakta pasi më të shumta do të kemi prezente reshjet e shiut, ku vetëm në zonat e thella malore do të kenë prezente reshjet e dëborës”, tha Hakil Osmani. Ndryshe nga java që shkuar që ishte java më e ftohtë e Shkurtit, dhe temperaturat ishin disa gradë nën zero, meteorologët parashikojnë rritje të tyre me disa gradë. “Duke filluar nga dita e martë dhe në vijim do të kemi një rritje graduale të temperaturave të ajrit duke bërë që minimumet, të paktën deri ditën e premte të regjistrohen në 0 apo në 1 gradë Celcius në qytetet e zonave malore, ndërsa maksimumet gjatë kësaj jave do të mbeten në vlerën 16 apo 17 gradë Celcius”, tha Osmani. Gjatë gjithë javës pritet të jenë prezente vranësirat dhe reshjet e shiut edhe pse me intervale afatshkurta. Klan News