Vala e të nxehtit afrikan do të vijojë të jetë prezente edhe gjatë kësaj jave në vendin tonë, me temperatura që arrijnë në vlerat 40 gradë Celsius, e veçanërisht në Berat dhe Koplik. “Territori shqiptar gjatë kësaj jave do të jetë nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan. Dita e martë dhe dita e mërkurë do të sjellin një tjetër rritje të temperaturave, duke bërë që e marta dhe e mërkura, kryesisht e mërkura dhe e enjtja, të shënojnë 40 gradë, që do të regjistrohen në qarkun e Beratit. Nuk mund të përjashtohen temperaturat 40 gradë edhe në zonat mbi Shkodrën, si në Koplik. Pjesa më e madhe e qyteteve urbane në Shqipëri do të jenë nga 38 në 39 gradë,” tha Lajda Porja, sinoptikane në “MeteoAlb” Fundjava pritet të sjellë një ulje të lehtë të temperaturave, sipas sinoptikanëve, ku të shtunën në veri nuk përjashtohet ndonjë rrebesh afatshkurtër. “E premtja dhe fundjava kanë një tendencë të tërheqjes së valëve, por mbetemi sërish në temperatura kryesisht 38 gradë në pjesën më të madhe të territorit shqiptar, përjashtuar të shtunën, ku ka mundësi që zonat veriore dhe verilindore të kenë rrebeshe të izoluara shiu, por afatshkurtra, vetëm për disa minuta dhe më pas sërish diell,” tha Lajda Porja, sinoptikane në “MeteoAlb” Sipas sinoptikanëve, për shkak të valës së të nxehtit afrikan edhe temperaturat minimale do të jenë të larta, duke bërë që edhe nata të jetë e nxehtë.