Java ka nisur me diell dhe mot të qëndrueshëm. Meteorologët parashikojnë se kushtet e motit do të jenë të tilla gjatë gjithë javës. “Parashikohet që vendi ynë, të paktën gjatë orëve të para të ditës dhe mesditës të ketë dominim të intervaleve të gjata me kthjellime, intervalet më të gjata me diell do të jenë më të dukshme në vijën bregdetare, ndërsa pjesërisht në ultësirën perëndimore dhe në zonat malore do të kemi intervale dhe me vranësira të cilat do të bëhen më të dukshme në pjesën e dytë të ditës, por nuk pritet të sjellin mundësira për reshje”, tha Hakil Osmani.    Prej ditës së Martë temperaturat e ajrit do të rriten me disa gardë Celsius, termometri do të ngjitet deri në 22 gradë Celius. “Duhet thënë që pjesa e dytë e javës do të sjelli një anomali sa i përket temperaturave të ajrit pasi do të kemi maksimume të cilat priten që të jenë rreth vlerës 5 gradë Celcius, më shumë sesa duhet të regjistrohen në muajin Mars por po ashtu në orët e para të mëngjesit do të kemi temperatura rreth 2 gradë më të larta sesa vlerat normale. Rritje e ndjeshme e temperaturave të ajrit do të jetë edhe në orët e mesditës duke bërë që maksimumet në pjesën e dytë të javës të regjistrohen në vlerën 21 apo 22 gradë Celcius”, tha Osmani. Kjo javë e parë e Marsit do të jetë e ngrohtë, me diell dhe me mot të qëndrueshëm.