Kisha në shpellën e fshatit Koshorisht, është një zgavër natyrore shkëmbi, me tavan të suvatuar dhe të pikturuar me kompozime murale që paraqesin Shën Marinë me Emanuelin, Krishtin Pandokrator dhe familjen e ktitorit në miniaturë.
Burime historike, por edhe gjurmë të vendbanimeve të ndryshme në Shqipëri, dëshmojnë se edhe në trojet shqiptare ka pasur një traditë të jetës eremite. Shpellat eremite, apo shpellat-kisha, siç i quante pupulli, janë dëshmi që vërtetojnë se edhe në këto treva kanë jetuar dhe kanë zhvilluar ativitetin e tyre fetar eremitët e krishterë.
Piktura ka disa skena në kompozimin e saj, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Por, krahas skenave biblike, aty paraqitet figura e ktitorit, apo dhuruesit të pikturës, bashkë me pjesëtarët e familjes së tij.
Shpella e Koshorishtit, për vlerat e saj historike e kulturore që mbart, ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i disa prej studiuesve shqiptarë më të njohur, si prof. Theofan Popa, prof. dr. akademik Andromaqi Gjergji, prof. dr. Dhorka Dhamo etj.
Sipas studiuesit Theofan Popa këto piktura i përkasin një periudhe shumë të hershme, nga gjysma e dytë e shek. IX deri në shek. XII, duke e bërë këtë monument një dëshmi të rrallë të trashëgimisë sonë kulturore.





