Nuk ishte vetëm një yll i kinematografisë italiane, por edhe asaj botërore.

Ai kontribuoi ne partneritete krijuese me Federico Fellini, regjisori dhe skenaristi italian dhe filmat në krah të Sophia Loren.

Aktori i famshëm, Marcello Mastroianni, i lindur në Fontana Liri, në vitin 1924, pati fatin të ishte pjesë e kinemasë që në moshë të vogël.

Si fëmijë, ai u shfaq në disa nga filmat e të madhit De Sica, mjeshtër i njohur në vitet 1930.

Më vonë, pas mbarimit të shkollës së mesme, ai u regjistrua në Fakultetin e Ekonomisë dhe Tregtisë, pa e ndërprerë marrëdhënien e tij me teatrin.

Pasi iu bashkua grupeve të Qendrës Teatrore Universitare, ai u pikas nga Luchino Visconti, i cili e ftoi të luante role të rëndësishme në disa vepra teatrale.

Filmi që zbuloi talentin e tij ishte “Le ragazze di Piazza di Spagna”, ku ai luan rolin e të riut të këndshëm dhe ekstrovert – me regjisor Luciano Emmer në 1952, i cili kishte bashkëpunuar me  Mastroianni dy vjet më parë në “Domenica d’August”.

Mastroianni zbuloi se ishte i përshtatshëm për introspeksionin delikat të një kinemaje që ishte në gjysmë të rrugës mes neorealizmit dhe komedisë italiane.

Kjo predispozitë e tij u konfirmua në “Giorni d’amore” nga De Santis, ku aktori mundi të rijetonte origjinën e tij në një mënyrë paksa komike.

Talenti i aktorit, Mastroianni u shfaq ndërsa ai luante me Sophia Loren, në filmat “Peccato che sia una canaglia” dhe  “La fortuna di essere donna”, në mesin e viteve 1950.

Por pikë kthesa në karrierën e tij erdhi me “La dolce vita” (1960), një film i periudhës epokale në të cilin Mastroianni është një antihero modern – dhe që shënoi gjithashtu fillimin e një partneriteti të gjatë dhe të suksesshëm artistik me Federico Fellini.

Me Fellini dha rezultate të paharrueshme në “Otto e mezzo” (1963), duke luajtur rolin e një lloj alter egoje të regjisorit nga Rimini.

Më pas, në fillim të viteve 1960, ai arriti një triumf personal në filmat “Divorzio all’italiana” dhe “I compagni”.

Një protagonist me shkathtësi dhe aftësi të padiskutueshme – thuhet se në disa filma ai dukej se mund të punonte vetëm me shprehjen e shikimit të tij – ai përcolli imazhin e një njeriu të kulturuar dhe të ndjeshëm –  i cili e shikonte me bezdi publicitetin e jetës së tij private nga shtypi tabloid.

Ai ka përfaqësuar me shumë bujari kinematografinë italiane në nivel ndërkombëtar, por fatkeqësisht nuk ka marrë kurrë një “Oscar” të merituar.

Mastroianni vdiq më 19 dhjetor 1996 në shtëpinë e tij në Paris. Regjisori Dino Risi, i cili gjithashtu e njihte mirë tha për të: “Ai ishte shpirti më i bukur i kinemasë sonë”.