Duke ngritur alarmin në lidhje me pretendimet për zgjerimin e NATO-s në Azi, Kina ka deklaruar se kjo do të “minojë paqen dhe stabilitetin rajonal”. “Azia është një spirancë për paqen dhe stabilitetin dhe një vend premtues për bashkëpunim dhe zhvillim, jo një arenë mundjeje për konkurrencën gjeopolitike”, tha dje para gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning. Mao tha se “përpjekja e vazhdueshme e NATO-s drejt lindjes në Azi-Paqësor dhe ndërhyrja në çështjet rajonale do të dëmtojë në mënyrë të pashmangshme paqen dhe stabilitetin rajonal dhe do të nxisë konfrontimin midis kampeve”. Reagimi i saj vjen pas raporteve se NATO ishte në bashkëpunim me Japoninë për të hapur zyrën e saj të parë aziatike në Tokio. “Kjo kërkon vigjilencë të lartë midis vendeve të rajonit,” tha Mao. Të mërkurën, gazeta ‘Nikkei Asia’ raportoi se NATO në shtrirjen e saj në Azi-Paqësor do të hapë zyrën e saj të parë aziatike në Japoni. Gazeta japoneze raportoi se zyra e ndërlidhjes në Tokio “do të lejojë aleancën ushtarake të kryejë konsultime periodike me Japoninë dhe partnerët kryesorë në rajon, si Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, ndërsa Kina shfaqet si një sfidë e re, krahas fokusit të saj tradicional ndaj Rusisë”. Ndërkohë, Pekini akuzoi SHBA-në për shndërrimin e Tajvanit në një “fuçi baruti”. Duke iu referuar vizitës të 25 kontraktorëve të mbrojtjes amerikane në vendin ishull këtë javë, zv/ministrja kineze e Punëve të Jashtme, Hua Chunying, shkroi në twitter se, “SHBA-ja po e kthen Tajvanin në një fuçi baruti. Ajo për të cilën realisht interesohet qeveria amerikane nuk janë banorët e Tajvanit, por mbushja e xhepave të tregtarëve amerikanë të armëve”. Ajo tha se kompanitë amerikane të mbrojtjes kanë diskutuar “prodhimin e më shumë dronëve dhe armëve për ishullin”. Kina e konsideron Tajvanin si “provincën e saj të shkëputur”, ndërsa Taipei këmbëngulë për pavarësinë e saj që nga viti 1949. atsh