Kina u bëri thirrje sot Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të mos përzihen në zgjedhjet presidenciale në Tajvan duke thënë se ishte në mënyrë të vendosur kundër lidhjeve mes Tajpeit dhe Uashingtonit, i cili njoftoi dërgimin e një delegacioni jozyrtar në ishull pas zgjedhjeve. ”SHBA nuk duhet të ndërhyjnë në zgjedhjet në rajonin e Tajvanit, në asnjë formë, për të shmangur dëmtimin serioz të marrëdhënieve kino-amerikane”, tha zëdhënësja Mao Ning e Ministrisë së Jashtme kineze, në një konferencë të rregullt për shtyp. “Kina është në kundërshtim me çdo formë të shkëmbimeve zyrtare mes SHBA dhe Tajvanit. Ka vetëm një Kinë në botë dhe Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës”, shtoi ajo. ”Kina shpreh pakënaqësinë e saj të thellë dhe kundërshtimin e fortë ndaj komenteve të nxituara të SHBA për zgjedhjet në rajonin e Tajvanit”, tha Mao Ning. “Çështja e Tajvanit qëndron në zemër të interesave thelbësore të Kinës dhe përbën vijën e parë të pakalueshme të kuqe në marrëdhëniet kino-ameikane”, theksoi ajo. Kina e konsideron Tajvanin si një nga provincat e saj, të cilën ende nuk ka arritur ta ribashkojë me pjesën tjetër të territorit të saj, që nga përfundimi i luftës civile kineze në 1949.