Kina planifikon të reduktojë në mënyrë të moderuar numrin e filmave amerikanë të shfaqur në vend – si një kundërpërgjigje e pazakontë ndaj rritjes së tarifave të fundit të Uashingtonit, njoftoi sot transmetuesi shtetëror Kinez Televizioni Qendror (CCTV).

“Vendosja “e paligjshme” e tarifave nga qeveria e SHBA-së ndaj Kinës “do të reduktojë në mënyrë të pashmangshme më tej popullaritetin e filmave amerikanë midis audiencës vendase”, tha një zëdhënës i autoritetit rregullator të filmit në Pekin.

“Në vend të kësaj, do të shfaqen më shumë filma nga e gjithë bota”, tha ai.

Kina tashmë ka një sistem kuotash për filmat e huaj, të cilët gjithashtu duhet të kalojnë rregulloret kineze të censurës përpara se të transmetohen.

Tarifat hakmarrëse të Kinës prej 84% për importet amerikane hynë në fuqi sot – duke bërë që presidenti amerikan, Donald Trump të rrisë sërish tarifat ndaj importeve kineze në SHBA në 125%.

Trump e justifikoi masën duke thënë se Kina kishte treguar një “mungesë respekti” për tregjet botërore.

Më herët, Pekini u zotua se do të “luftonte deri në fund” në mosmarrëveshjen tarifore duke akuzuar SHBA-në për zhvatje – por Kina nuk i është përgjigjur rritjes së fundit të tarifave me rritje të mëtejshme të tarifave.