Ura më e lartë në botë është hapur për qarkullim në provincën jugperëndimore kineze të Guizhout duke shkurtuar kohën e udhëtimit përmes kanionit malor “Huajiang” nga rreth dy orë në vetëm disa minuta, raportuan sot mediet shtetërore.
Ura e madhe e kanionit “Huajiang” ngrihet 625 metra mbi shtratin e lumit, pothuajse sa lartësia e “Kullës së Shangait (632 metra), rrokaqiellit më të lartë në Kinë, sipas agjencisë zyrtare “Xinhua”.
Kjo urë ka një gjatësi prej 1,420 metrash.
Ndërtimi zgjati tre vjet dhe kushtoi mbi 2 miliardë juanë (rreth 280 milionë dollarë), sipas medieve shtetërore kineze.
Aktualisht,18 nga 20 urat më të larta në botë ndodhen në Kinë. Megjithatë, projekte të tilla të mëdha infrastrukturore mbeten të debatueshme, pasi shumë provinca janë thellësisht të zhytura në borxhe, një barrë që po ndikon gjithnjë e më shumë në ngadalësimin e rritjes ekonomike kombëtare.
Guizhou renditet ndër rajonet më të varura nga borxhi në vend.