Lideri koreano-verior, Kim Jong Un deklaroi se qëllimi përfundimtar i Koresë së Veriut është të ketë forcën më të madhe bërthamore të botës. Media shtetërore citoi sot Kim të thoshte se ndërtimi i një force bërthamore për të mbrojtur Korenë e Veriut dhe popullin e saj është “kauza revolucionare më e madhe dhe më e rëndësishme dhe qëllimi i saj përfundimtar është të zotërojë forcën strategjike më të fuqishme në botë”. Kim i bëri komentet të shtunën teksa promovoi dhjetëra zyrtarë të përfshirë në testin e fundit të një “Hwasong-17”, një lloj i ri rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), të cilën ai e quajti “arma strategjike më e fortë në botë”. ”Zyrtarët dhe shkencëtarët bënë një hap të mrekullueshëm përpara në zhvillimin e teknologjisë së montimit të kokave bërthamore në raketa balistike”, tha Kim. Lëshimi më i fundit i një ICBM nga Koreja e Veriut në fillim të këtij muaji u prit me kritika ndërkombëtare. Raketat me aftësinë për të udhëtuar më shumë se 5 500 kilometra llogariten si ICBM. Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të testojë ICBM dhe raketa të tjera balistike që, në varësi të dizajnit të tyre, mund të armatosen me një kokë bërthamore. Situata në Gadishullin Korean aktualisht është shumë e tensionuar. Koreja e Veriut e armatosur bërthamore ka kryer një sërë testesh raketore në javët e fundit. Koreja e Veriut aktualisht po teston raketa me një frekuencë jashtëzakonisht të lartë. Vëzhguesit kanë frikë se testi i parë bërthamor i Phenianit në vite është i afërt.https://ata.gov.al/2022/11/27/phenian-kim-duam-te-behemi-forca-me-e-madhe-berthamore-ne-bote/