Komandanti në largim i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia deklaroi se terreni në veri është i vështirë dhe se po bëjnë maksimumin për të mbrojtur kufijtë. Kështu u shpreh ai teksa u pyet për sasinë e madhe të armatimit që Serbia përmes grupeve terroriste i ka futur brenda territorit të Kosovës. Komandanti i KFOR-it, deklaroi se janë duke bërë një hetim për sulmin e 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit. Në fund të mandatit të tij, ai para mediave të premten paralajmëroi vendosjen e forcave shtesë nga Rumania. Sipas tij, zgjidhja e vetme është ajo politike, e cila mundëson paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në vend. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia deklaroi se ngjarjet e fundit në veri, tregojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet. Ai u shpreh se gjatë këtij viti kanë bërë përpjekje të mëdha siç tha ai, për t’u përballur me shumë vështirësi. Në mesin e tyre ka përmendur çështjen e targave, dorëheqjen e serbëve nga institucionet, organizimin e zgjedhjeve komunale në veri të vendit dhe bllokimin e rrugëve. “Sulmet krejtësisht dhe të pajustifikuara kundër personelit të KFOR-it më 29 maj, ngjarjet e qershorit, ku u përfshinë tre policë të PK-së, dhe sulmi i fundit i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator janë vetëm disa shembuj të kësaj. Të gjitha këto ngjarje konfirmuan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet. Në dritën e zhvillimeve të fundit KFOR-i, ka rritur praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, ka autorizuar vendosjen e forcave shtesë për të adresuar situatën. Trupat janë tërhequr nga rezervat strategjike të NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos trupa shtesë dhe zbatimi i mëtejshëm do të vazhdojë së shpejti edhe nga aleatët e tjerë, duke përfshirë Rumaninë”, deklaroi komandanti në largim. Më tej, u shpreh se vetëm zgjidhja politike mund të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Këta janë hapat për të siguruar aftësinë dhe fleksibilitetin e KFOR-it si forcë e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe dhe stabilitet të pakthyeshëm dhe të qëndrueshëm në zonë. Kjo është arsyeja pse KFOR-i mbështet plotësisht dhe vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shtoi Ristuccia. Në ditën e agresionit të grupit terrorist serb, komandant Ristuccia tha se ka ndjekur situatën dhe është koordinuar me të gjitha palët. “Unë isha duke punuar si gjithmonë, … duke ndjekur situatën dhe duke u koordinuar me të gjitha palët. Kam kaluar shumë kohë. Isha duke u koordinuar me presidenten tuaj”, tha ai. Komandanti në largim i KFOR-it, tha se situata është më e qetë se siç ishte ditë më parë, porse Kosova e Serbia duhet të kthehen në tryezën e negociatave. I pyetur në lidhje me keqpërdorimin e simboleve të KFOR-it nga grupet terroriste serbe, Ristuccia u shpreh se janë duke punuar që të kuptojnë se çfarë pajisje janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. “Ne kemi nevojë që të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të mbështetur nga SHBA. Pra, ne besojmë plotësisht në rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e situatës. Sa i përket ngjarjes së 24 majit, ne ende jemi duke punuar që të kuptojmë se çfarë pajisje janë konfiskuar nga PK-ja, e kemi listën, sepse sigurisht që po bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës në këtë fushë dhe ne jemi në dijeni gjithashtu se kishte disa logo, ka ende një hetim, dhe ne si KFOR morëm të gjitha masat e nevojshme për të zvogëluar rrezikun e atij që ne e quajmë sulm nën flamur të rremë. … KFOR dhe që përmbush mandatin e tij duke kontrolluar edhe automjetet dhe duke shmangur rrezikun që dikush të përdorë logot tona në mënyrë të papërshtatshme, të jetë efektiv. Pra, ne marrim të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e forcës për të reduktuar rrezikun për të shmangur përdorimin e papërshtatshëm të këtyre logove”, u shpreh ai para mediave në Prishtinë. I pyetur se si është sasia e madhe e armatimit nga Serbia në Kosovë, ai tha se terreni është kompleks. “Një hetim është ende në proces për Banjska… Pra, është shumë herët të thuhet se nga janë futur këto [armë] në Kosovë. Gjithsesi, ne jemi të pranishëm në veri të Kosovës si dhe përgjatë…, dhe veprojmë në përputhje me mandatin tonë, pa u ngarkuar me detyra nga subjekte të tjera. Ne jemi të ngarkuar me detyra vetëm nga NATO dhe punojmë në përputhje të plotë me mandatin tonë, i cili përfshin edhe në përputhje me marrëveshjen teknike ushtarake aktivitetet që kryhen përgjatë vijës kufitare. Pra, ekziston një marrëveshje teknike ushtarake, e cila përcakton qartë se kush duhet të bëjë çfarë, ka edhe aktivitete teknike dhe procedurale që ne i kryejmë dhe sigurisht që bëjmë maksimumin për t’i kryer këto aktivitete. Sigurisht që terreni këtu, ju e dini më mirë se unë sepse jetoni këtu në Kosovë, terreni është kompleks, nuk është aq e lehtë të kontrollosh të gjithë terrenin dhe të gjithë vijën kufitare, por ne po bëjmë maksimumin”, vijoi ai në përgjigjet e tij. Në paraqitjen e tij para mediave, tha se është e dënojnë dhe është e papranueshme sulmi ndaj policëve të Kosovës. “Pra, ne e dënojmë plotësisht sulmin ndaj Policisë së Kosovës sepse është absolutisht i papranueshëm. Së dyti, me siguri, me sa dimë dhe duke pasur parasysh cilësinë dhe sasinë e pajisjeve të konfiskuara nga Policia e Kosovës, me siguri qëllimi i kryerësve të këtij krimi, qëllimi i sigurt është që të krijojnë paqëndrueshmëri, të rrisin destabilitetin dhe kaos, kjo është e sigurt”, përfundoi ai.