Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAKFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha

KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas deklaratave të deputetes britanike, Alicia Kearns, ku ka ngritur alarmin për kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë. Sipas KFOR-it, deklaratat e deputetes britanike i referohen vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës në misionin e KFOR-it, dhe se nga hetimet “nuk ka dalë asnjë dëshmi nga ajo që është raportuar”. Nga ky mision theksohet se “ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësin e organizatave të sigurisë së Kosovës”. “Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por pas hetimeve shtesë në mënyrë që të konfirmohet kjo, asnjë dëshmi nga ajo që u raportua nuk doli. Nuk ka asnjë dëshmi as për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për informata të plota, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e organizatave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e KFOR-it. Deputetja Kearns në Parlamentin britanik ka thënë se “Serbia kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë”. Kearns: Serbia kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë Deputetja e Parlamentit Britanik dhe kryetare për punë të jashtme, Alicia Kearns ka deklaruar se Kosovës si partner i vendeve të perëndimit i kërkuan të jetë demokratike, ta ndjek rrugën e anëtarësimit në BE dhe të shkojnë drejt anëtarësimit në NATO, gjë që po e bënë, por tash ndëshkohet. Kurse, Serbia mbetet pa asnjë ndëshkim. Kearns ka thënë se disa pjesë janë sërish në rrezik brenda Ballkanit , pasi shihen ambiciet cinike të miqve të Millosheviçit, ëndrrat për Serbinë e Madhe dhe urrejtjen në zemrat e liderëve brenda atij rajoni. Ajo shtoi se ajo që po ndodh aktualisht në Kosovë është rezultat i ndërhyrjes së jashtme të Beogradit, 18 muaj më parë, kur bëri ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet e brendshme të Kosovës, pasi Beogradi u tha serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Kearns shtoi se Qeveria e Britanisë së Madhe ka informata se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë me ambulanca. “Kjo është arsyeja pse gjendja e sigurisë është kaq e rëndë. Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i nxjerrim në pah milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, nga ushtarët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, dhënia e lejeve zgjatë shumë. Në momentin që ata marrin leje ambulanca tashmë ka shkuar në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët. Do të prek shkurtimisht politikat tona të eksportit ndaj Serbisë. Unë jam shumë e shqetësuar për faktin se ne po i shesim municione të vogla Serbisë. Duke qenë se policia kundër terrorizmit atje ka kryer sulme dhe ka rrëmbyer tre policë kosovarë, si e dimë ne se asgjë që i kemi shitur Serbisë nuk përdoret në atë kontekst? Unë kërkoj që t’i vihet një fre të gjitha shitjeve e eksportit në Serbi. I bëj thirrje Qeverisë që ta bëjë të qartë se Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë sovranitetit territorial dhe demokracisë së Kosovës. Për ta bërë këtë, ne duhet të zgjerojmë mandatin e KFOR-it për të siguruar një qasje më proaktive për të luftuar kontrabandën e armëve dhe milicitë në veri të Kosovës. Ne duhet të sigurojmë drejtësi dhe të ndërmarrim veprimet e nevojshme për të operuar një politikë kuptimplote të diplomacisë parandaluese”, tha ajo. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments