KFOR-i bën të ditur se është informuar vetëm pak kohë para se Policia e Kosovës të ndërmerrte aksionin në veri për mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe të Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat veriore të vendit. Në një njoftim të KFOR-it, thuhet se personeli i këtij misionin paqeruajtës nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. “KFOR-i u njoftua pak para fillimit të operacioneve “liK” kundër degëve të Bankës Postanska Stedionica të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it. Më tej thuhet se: KFOR pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale. “KFOR-i vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatë. Në aksionin e Policisë së Kosovës të hënën në veri të vendit, me ç’rast u mbyllën gjashtë njësi ilegale të Bankës Postare Kursimore të Serbisë, ndërsa u konfiskuan 1.6 milionë euro, rreth 75 milionë dinarë, dollarë e franga, qytetarët serbë të veriut e quajnë represion ndaj tyre.