Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka cilësuar tejmase të rrezikshme situatën që ka mbizotëruar të premten në veri të Kosovës, pas tensioneve që përcollën futjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në objektet e komunave. Në një komunikatë për media në mbrëmje, KFOR-i ka dënuar “veprimet e njëanshme” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje. “KFOR-i është duke e monitoruar me kujdes situatën në komunat në veri të Kosovës, ku një seri përplasjesh janë shkaktuar nga hyrja me forcë e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është tejmase e rrezikshme për procesin e normalizimin dhe rrezikon përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto veprime të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë akterëve është thelbësor për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejmë. Prioritet i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.