Banka e Shqipërisë rriti sot normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3 %, si një hap i nevojshëm për të siguruar stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh sot në konferencën për mediet, se, “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit në nivelin 3.00 %, nga 2.75 %. Të rrisë normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 2.00 % nga 1.75 % dhe të rrisë normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 4.00 %, nga 3.75 %”. Guvernatori deklaroi se, “Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se, presionet e larta inflacioniste që burojnë nga ambienti i brendshëm janë një faktor i rëndësishëm rreziku, së pari, për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe, më tej, për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Në këto rrethana, ai e vlerësoi të nevojshme reduktimin e stimulit monetar nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit”. Kjo lëvizje, tha Sejko, vjen si masë në përputhje me komunikimet tona të mëparshme dhe në konsistencë me lëvizjet e fundit të bankave kryesore qendrore. Guvernatori bëri të ditur se, qëndrimi i ardhshëm i politikës monetare do të udhëhiqet nga të dhënat e reja, dhe në veçanti balanca e presioneve inflacioniste, qëndrueshmëria e rritjes ekonomike dhe tregues të tjerë të shëndetit ekonomik dhe financiar të vendit. Sejko tha se, inflacioni shënoi rënie gjatë dy muajve të parë të vitit, duke shënuar vlerat respektive prej 7.2 % dhe 7.1 % në muajt janar dhe shkurt. Trendi rënës i inflacionit, i nisur që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, ishte në përputhje me pritjet tona. Megjithatë, niveli i inflacionit në dy muajt e parë të vitit ishte në kahun e sipërm të pritjeve. “Në këndvështrimin e shportës, rënia e inflacionit u diktua nga një rritje më e ngadaltë vjetore e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve, në linjë dhe me tendencat e vëna re në tregun ndërkombëtar”, vuri në dukje Sejko. atsh
Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së rrit normën e interesit për lekun në 3 %
RELATED ARTICLES