Studimi, i publikuar në revistën Nature Medicine dhe i udhëhequr nga Instituti Oxford Internet dhe Departamenti Nuffield i Shkencave Shëndetësore të Kujdesit Parësor në Universitetin e Oksfordit, zbuloi se mbështetja te inteligjenca artificiale për marrjen e vendimeve mjekësore paraqet rreziqe për pacientët për shkak të një “tendence për të ofruar informacione të pasakta dhe të paqëndrueshme”.

Rebecca Payne, bashkautore e studimit dhe mjeke e përgjithshme, tha se pavarësisht gjithë entuziazmit, inteligjenca artificiale ende nuk është gati të marrë rolin e mjekut.

“Pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm se pyetja e një modeli të madh gjuhësor për simptomat e tyre mund të jetë e rrezikshme, duke dhënë diagnoza të gabuara dhe duke dështuar të njohë kur nevojitet ndihmë urgjente”, theksoi ajo.

Në studim, afro 1.300 pjesëmarrësve iu kërkua të identifikonin gjendje të mundshme shëndetësore dhe të rekomandonin hapat e ardhshëm bazuar në skenarë të ndryshëm.

Disa pjesëmarrës përdorën softuerë të bazuar në modele të mëdha gjuhësore për të marrë një diagnozë të mundshme, ndërsa të tjerë u mbështetën në metoda tradicionale, si konsultimi me një mjek të përgjithshëm.

Studiuesit zbuluan se mjetet e inteligjencës artificiale shpesh ofronin një “përzierje informacioni të mirë dhe të keq”, të cilën përdoruesit e kishin të vështirë ta dallonin.

Megjithëse chatbot-et “shkëlqejnë në testet e standardizuara të njohurive mjekësore”, studimi arriti në përfundimin se përdorimi i tyre në botën reale si mjete mjekësore “do të paraqiste rreziqe për përdoruesit realë që kërkojnë ndihmë për simptomat e tyre”.

Autori kryesor i studimit, Andrew Bean, tha se ndërveprimi me njerëzit mbetet “një sfidë” edhe për sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale dhe shprehu shpresën se gjetjet do të kontribuojnë në zhvillimin më të sigurt të këtyre teknologjive.