Në kushtet e një krize energjetike botërore, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare apelon qytetarët për kursimin e energjisë elektrike. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, KESH u bën thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë, pasi çdo vat i kursyer sot, është vat i fituar për muajt në vazhdim. “E vërteta është që çmimet e energjisë janë rritur shumë në tregjet ku ne importojmë. Shifrat e rritjes së çmimit janë 7 herë më të larta se një vit më parë. Kjo bën që energjia të jetë gjithnjë e më e kushtueshme për t’u blerë”, thuhet në deklaratën e Korporatës.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka bërë të ditur se nga 1 tetori konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat-orë energji elektrike në muaj, do të faturohen me vlerën e tregut. Balluku po ashtu tha se do të ngrihet një taskforcë e energjisë për të shmangur çdo abuzim me përdorimin e energjisë elektrike. Më herët, në fund të muajit korrik, ishte kryeministri Edi Rama, i cili foli për krizën energjetike me të cilën po përballet e gjithë bota. Rama tha se do të jetë e vështirë për vendin tonë që të gjejë sasinë e nevojshme për të përballuar të gjitha nevojat, ndërsa shpreh se çmimi ka shkuar në “stratosferë”.