Regjisori i njohur gjerman Werner Herzog, autor i filmave “Fitzcarraldo” dhe “Grizzly Man”, ka shprehur dëshirën për të udhëtuar në hapësirë dhe madje për të realizuar një film në planetin Mars.

Megjithatë, 83-vjeçari e pranon se një ëndërr e tillë është e vështirë për t’u bërë realitet.

“Udhëtimi në Mars është teknikisht i ndërlikuar, kërkon shumë kohë dhe në fakt është mjaft i pakuptimtë”, tha Herzog në një intervistë, duke shtuar se puna në një set filmi në Mars do të ishte “e pakëndshme”.

Ai pranoi se robotët janë shumë më të përshtatshëm për misione të tilla.

“Ata mund të lëvizin mbi tokë toksike dhe nuk vriten nga rrezatimi kozmik. Për ne, do të ishte njësoj si të futeshim vetë në një furrë me mikrovalë”, u shpreh regjisori.

Për shkak të rrezatimit, Herzog beson se njerëzit do të detyroheshin të gërmonin thellë nën tokë dhe të jetonin në bunkerë të vegjël.

“Është thjesht pa sens,” shtoi ai.

Por i pyetur nëse do të shkonte megjithatë deri atje, regjisori u përgjigj vendosur “po, me kamera”.

Megjithatë, ai nuk pret që kjo të ndodhë.

“Nuk po bëhem më i ri”, tha ai me humor.

Herzog zbuloi gjithashtu se ka aplikuar dy herë për udhëtime turistike në hapësirë, por është refuzuar.

“Jam thjesht shumë i moshuar. Le ta pranojmë”, u shpreh ai.

Në karrierën e tij të gjatë, Herzog ka realizuar dhjetëra filma, përfshirë edhe dokumentarë, shpesh në vende të largëta dhe ekstreme.

Ai konsiderohet një nga regjisorët gjermanë me famë botërore.