Kepi i Rodonit është një perlë turistike e Durrësit. Ai është një destinacion që ndërthur turizmin bregdetar dhe atë historik, ku vizitori mund të ndjejë historinë, të njihet me kulturën dhe t’i gëzohet natyrës së mrekullueshme.

Në Kepin e Rodonit gjelbërimi, freskia dhe deti, ndërthuren me lashtësinë. Aty ndodhen Kalaja e Skënderbeut, e ndërtuar në mesin e shekullit të XV dhe kisha e Shën Ndout, e fundit të shekullit XIII.

Kjo pikë e bregdetit shqiptar ofron plazhe mahnitëse, natyrën e mrekullueshme por edhe monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Kalaja e Skënderbeut ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit, ose siç e quajnë vendasit, Kepi i Muzhit dhe vështron veç thellësisë së detit Adriatik, edhe gjirin e Patokut dhe të Shëngjinit. Kalaja daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i Kepit në bregun tjetër.

Kisha e Shën Ndout, një tjetër monument i trashëgimisë kulturore, ka një arkitekturë romaniko-gotike të shekullit XIII. Ajo është një nga më të bukurat dhe domethënëset për besimtarët e krishterë.

Kisha iu rikthye besimtarëve dhe turistëve, falë mbështetjes së misionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, përmes programit EU4Culture Albania, që mundësoi restaurimin e këtij monumenti të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Ajo është një ndër kishat më të dëgjuara në periudhën e Mesjetës, edhe për shkak të ndërtimeve që bëri Skënderbeu në zonën e Kepit në shekullin XV. Për ndërtimin e kësaj kishe është përdorur teknika bizantine e klausonazhit, por dallohen edhe elementë të arkitekturës romanike dhe gotike, si harqet me majë.

Ndër fragmentet e ruajtura nga piktura murale, në pjesën e poshtme qendrore të absidës lindore paraqitet një shqiponjë dykrenore, ndërsa më djathtas, një kalorës i ri pa mjekër dhe dy shpendë.

Për shkak të vlerave të saj monumentale, të lidhjes së ekzistencës së saj me njërën nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë, si dhe për shkak të pozicionit gjeografik dhe peizazhit mahnitës, Kisha e Shën Ndout është njëra nga pikat më të vizitueshme nga turistët vendas e të huaj