E cilësuar si “Perla e Alpeve Juglindore” të Europës, Malësia e Kelmendit tërheq vizitorë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit, ndërsa është kthyer po ashtu në destinacion tërheqës për sportet e aventurës.
Malësia e Madhe, pjesë e të cilës është edhe Kelmendi, ofron pamje të rralla në çdo stinë të vitit. Investimet në infrastrukturë, kombinuar me investime në përmirësimin e peizazhit urban, i kanë bërë disa prej njësive administrative të arrihen më lehtë, duke i dhënë vlerë peizazhit natyror.
Shpellat, kanionet, ujëvarat, rrjedhat e lumenjve, burimet, pllajat, peizazhet e magjishme i shoqërojnë turistët në udhëtimin e tyre në Malësinë e Kelmendit.
Kjo zonë ka potenciale për zhvillimin e sporteve dimërore, kampingjeve me çadra, si dhe strukturave për shërbime gastronomike, të cilat janë miqësore me natyrën.





