Projekti “Aftësi për Punë – Skills for Jobs (S4J)”, i mbështetur nga qeveria zvicerane përmes ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, vijon të zgjerohet duke përfshirë katër shkolla të reja profesionale në rrjetin e tij mbështetës.

Shkollat nga qytetet e Shkodrës, Dibrës, Beratit dhe Korçës do të jenë përfituese të këtij zgjerimi strategjik që synon të sjellë risi dhe cilësi më të lartë në arsimin dhe trajnimin profesional (ATP).

Këto institucione do të përfitojnë nga transferimi i njohurive dhe përvojave të mira të akumuluara gjatë fazave të mëparshme të projektit, si dhe nga aplikimi i qasjeve të reja inovative dhe modeli i suksesshëm i arsimit dhe trajnimit profesional dual, një sistem që kombinon mësimin në klasë me praktikën në vendin e punës.

“Ne mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e arsimit dhe trajnimit profesional në Shqipëri. Zgjerimi i projektit S4J është një hap tjetër konkret në këtë drejtim”, u shpreh Philipp Arnold, zëvendës shef i Misionit në ambasadën e Zvicrës gjatë aktivitetit të mbajtur, në Tiranë, ku e pranishme ishte edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani.

Projekti “Aftësi për Punë” ka për qëllim të afrojë më shumë të rinjtë me tregun e punës, duke i pajisur ata me aftësi praktike dhe të përditësuara sipas nevojave të sektorëve ekonomikë.

Përmes bashkëpunimit të ngushtë me bizneset, projektimi i kurrikulave dhe organizimi i praktikave profesionale bëhen më të përshtatura dhe më efektive për punësimin e të rinjve.

Kjo nismë është pjesë e angazhimit afatgjatë të Zvicrës për të mbështetur reformën e arsimit profesional në Shqipëri, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mundësive për të rinjtë në vend