Katër kandidatë, mes tyre edhe presidenti aktual Vladimir Putin, do të garojnë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Rusi në muajin mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi u mblodh lidhur me agjendën e zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në vend në muajin mars. Kryetarja e Komisionit, Ella Pamfilova deklaroi se në garën zgjedhore do të marrin pjesë katër kandidatë.
Në zgjedhjet presidenciale do të garojnë presidenti aktual Vladimir Putin, kryetari i Partisë Liberal Demokratike të Rusisë (LDPR) në Duma, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, Leonid Slutskiy, deputeti i propozuar nga Partia Komuniste (KPRF) Nikolay Kharitonov dhe nënkryetari i Partisë së Re Popullore, Vladislav Davankov. Kandidaturat e Boris Nadejdin, kandidati i Partisë Iniciativa Civile, i cili kundërshton luftën si dhe kandidati i Partisë së Komunistëve Ruse, Sergej Malenkoviç, politikanit Anatoliy Batashev dhe blogeres ruse Rada Russkih, u refuzuan me arsyetimin se u zbuluan gabime në nënshkrimet që ata dorëzuan në komision.
Këshilli i Federatës, Dhoma e Lartë e Parlamentit rus vendosi në dhjetor 2023 që zgjedhjet presidenciale të mbahen më 15-17 mars 2024. Presidenti rus Putin njoftoi se do të ishte kandidat në zgjedhje dhe i dërgoi një njoftim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Putin, i cili do të marrë pjesë në garën zgjedhore si kandidat i pavarur, do të mbështetet në fushatën zgjedhore nga Partia “Rusia e Bashkuar” në Duma, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus. Zgjedhjet e mëparshme presidenciale në Rusi u mbajtën më 18 mars 2018 dhe Putin u zgjodh president me 76,6 për qind të votave