Kjo zonë përfaqëson një nga habitatet më të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri.

“Falë masave të marra në kohë nga stafi i Parkut, në bashkëpunim me OJF-të partnere dhe në kuadër të projektit RESCOM, u realizua ngritja e shtretërve të riprodhimit gjatë muajit janar. Si rezultat, procesi i folezimit të pelikanit kaçurrel po vijon i qetë dhe pa probleme, pavarësisht nivelit të lartë të ujit”, theksoi Prençe.

Sipas tij, ky reagim i shpejtë dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe menaxhimin e qëndrueshëm të ekosistemeve ligatinore.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunorë tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Një ndër shpendët më të kërkuar për t’u parë nga vizitorët është edhe pelikani kaçurrel. Ky shpend i rrallë po shtohet në disa laguna të Shqipërisë si në Nartë, Kune-Vain dhe në liqenin e Shkodrës, teksa habitatin e vet dhe vëmendjen më të madhe po e tërheq në lagunën e Divjakë-Karavastasë.

Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve.