Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku foli sot për projektet që po zbatohen në të gjithë vendin, të cilat sipas saj, do kthejnë Shqipërinë brenda vitit 2030 në një eksportuese neto të energjisë elektrike. Gjatë një konference për mediet, Balluku u shpreh se përmes këtyre projekteve, që kanë nisur dhe do të përfundojnë sipas kontratave, do të rritet kapaciteti prodhues me 4 terravat në vit. Ajo renditi projektet për diversifikimin e burimeve të energjisë që sipas saj janë projekte konkrete . “Më 1 janar 2023 do të kemi shtim të kapaciteteve me 114 megavat nga dy anijet prodhuese të energjisë elektrike. Më pas në fund të vitit 2023, kemi deklaratën e Excelerate Energy për nisjen e prodhimit nga moduli i parë i TEC-it të Vlorës prej 100 megavat. Brenda 2023 nis prodhimi i 115 megavat-ëve nga impiantet private që do të shiten në tregun e lirë. Në 2024 parashikojmë të shtohen 140 megavat nga parku fotovoltaik i Karavastasë dhe më pas në total nga aplikimet e vitit 2020, ku aplikimet e privatëve janë shtuar ndjeshëm janë 610 megavat impiante private që pritet të nisin gjenerimin. Në vitin 2025, të dy modulet e tjera të TEC-it të Vlorës do të futen në operim duke rritur kapacitetin me 250 megavat. Ndërkohë përgatitet për operim parku fotovoltaik i Spitallës me 150 megavat. Eoliket që ne po lançojmë sot nisin punën në vitin 2025 dhe kapaciteti i tyre do të jetë 100-150 megavat. Në vitin 2028 sipas planit futet në funksion Skavica me 210 megavat prodhim. Duhet patur parasysh, kur i referohemi Skavicës, që ky HEC nuk ka vetëm prodhimin e saj, por ai optimizon kaskadën me më shumë se 900 gigavat”, u shpreh zv/kryeministrja.https://ata.gov.al/2022/09/16/balluku-projektet-ne-energjetike-kapaciteti-prodhues-rritje-me-4-terravat-ne-vit/
Kapaciteti prodhues rritje me 4 terravat në vit
RELATED ARTICLES