Një studim i ri ndërkombëtar ka sjellë provat më bindëse deri më sot se një përbërës i veçantë i kanabisit mund të ndihmojë në trajtimin e dhimbjeve kronike të shpinës.

Rezultatet e provës klinike të fazës së tretë, të publikuara në revistën “Nature Medicine”, tregojnë se një ekstrakt i quajtur “VER-0” ul ndjeshëm dhimbjen pa shkaktuar varësi apo efekte të rënda anësore.

Dhimbja e pjesës së poshtme të shpinës mbetet shkaku kryesor i paaftësisë në botë, duke prekur më shumë se gjysmë miliard njerëz, sipas OBSH-së.

Trajtimet ekzistuese shpesh kufizohen në ilaçe si ibuprofeni, që në përdorim afatgjatë mund të dëmtojë shëndetin, apo në opioide, të cilat janë shumë varëse dhe potencialisht të rrezikshme.

Në provën e re morën pjesë mbi 800 persona që vuanin nga dhimbje kronike dhe nuk kishin përfituar nga trajtimet tradicionale.

Pjesëmarrësit morën për 12 javë ose ekstraktin VER-01, ose një placebo. Ata që morën ekstraktin raportuan një  ulje të dhimbjes me 1.9 pikë në një shkallë nga 1 në 10, kundrejt 0.6 pikëve tek grupi placebo.

Pas gjashtë muajsh, ulja mesatare e dhimbjes arriti 2.9 pikë, ndërsa u raportuan përmirësime të ndjeshme në gjumë, funksion fizik dhe cilësi jete.

Çdo dozë e “VER-01” përmban 2.5 miligramë THC, përbërësi aktiv i marijuanës.

Studimi thekson se pjesëmarrësit nuk ndjenë efekte psikoaktive apo varësi, ndërsa efektet anësore ishin të lehta dhe kalimtare, kryesisht marramendje, përgjumje dhe gojë e thatë.

Studiuesit theksuan se rezultatet vlejnë vetëm për substancën specifike “VER-01”, e cila ndryshon ndjeshëm nga produktet e zakonshme të marijuanës apo CBD-së që shiten lirshëm në treg.