Kampionati Ballkanik i Volejbollit U17 për meshkuj

0
9

Tirana këtë javë do të mirëpresë Kampionatin Ballkanik të Volejbollit për meshkuj të moshës nën 17-vjeç. Federata Shqiptare e Volejbollit njofton se këtë të mërkurë do të çelet sipari i Kampionatit Ballkanik i Volejbollit për meshkuj, i moshave nën 17-vjeç dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. “Nis të mërkurën në Tiranë, Kampionati Ballkanik i Volejbollit u-17 për meshkuj. Pas Kampionatit Ballkanik U-20 që u mbajt në Tiranë vitin e shkuar, kryeqyteti shqiptar do të mirëpresë gjatë kësaj jave një tjetër veprimtari madhore ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Kampionatin Ballkanik të Volejbollit për Meshkuj, për grup-moshën e Nën-17-vjeçarëve, që do të zhvillohet duke nisur nga dita e Mërkurë deri ditën e Dielë”,- njofton Federata Shqiptare e Volejbollit. Sipas njoftimit, ndeshjet do të luhen të gjitha në Sallë Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës dhe në këtë Kampionat Ballkanik do të marrë pjesë Shqipëria, Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi. Shorti e ka vendosur kombëtaren kuqezi të kësaj grupmoshe, që do të drejtohet nga trajneri Erin Sejati dhe ndihmësit e tij Seimir Dragoi, Fatjon Çekini dhe Administratori sportiv, Emiljan Xhabrahimi, në grupin A, aty ku përballë do të ketë Turqinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në grupin B ndodhen Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi. atsh