Kamionistët sllovakë po bllokojnë kalimin kryesor kufitar të vendit me Ukrainën për trafikun e kamionëve nga shqetësimi për konkurrencën më të lirë nga rivalët ukrainas. Një protestë e ngjashme përgjatë kufirit polako-ukrainas ka vazhduar që nga nëntori. Si Polonia ashtu edhe Sllovakia janë shtete anëtare të BE-së. Protesta në pikën kufitare Vishnja Nemeçke të Sllovakisë filloi dje pasdite. Mbetet ende e paqartë se sa do të vazhdojë kjo bllokadë. Grupi sllovak i industrisë së kamionëve, UNAS tha se kompanitë po luftojnë për të ruajtur vendet e punës në sektorin e logjistikës. Shoferët protestues sllovakë dhe polakë të kamionëve shpresojnë ta detyrojnë këtë çështje përpara ministrave të Transportit të Bashkimit Evropian, të cilët do të takohen të hënën. Të dy grupet po bëjnë thirrje që BE të rivendosë rregulloret që kërkojnë që kompanitë ukrainase të kamionëve të aplikojnë për leje transporti si firmat e tjera të transportit jashtë BE-së. BE-ja hoqi dorë nga këto rregulla pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Protestuesit kanë lejuar vetëm katër kamionë në orë që të kalojnë. ”Kamionët që transportojnë ushqime që prishen, kafshë të gjalla dhe mallra ushtarake dhe humanitare për Ukrainën janë të përjashtuar nga bllokada”, sipas organizatorëve të protestës. Policia sllovake tha se do të përpiqet të ruajë rendin dhe të sigurojë që operacionet të zhvillohen sa më mirë dhe pa probleme.