Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u kërkoi edhe operatorëve të telefonisë mobile që ta përfshijnë si njoftim në mesazhin SMS që u dërgohet vizitorëve të huaj të cilët hyjnë në territorin e Shqipërisë. Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit. Agjencia Kombëtare e Turizmit është institucioni përgjegjës për krijimin e kalendarit dhe përzgjedhjen e eventeve që do të jenë pjesë e tij. “Kemi mbledhur mbi 1110 evente, që nga festat lokale të fshatrave malorë e bregdetarë, deri në festat apo festivalet e qyteteve, kryeqytetit tonë, Tiranës, duke krijuar një databazë të fuqishme, më pas kemi strukturuar formatet e eventeve që do t’i përshtateshin audiencave turistike”, sqaroi drejtoresha e AKT, Zana Çela. Këtë sezon veror turistik, nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ka pasur prioritet pajisja e vizitorëve të huaj me informacion turistik për Shqipërinë që në pikat e kalimit kufitar. Për 5 muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar rreth 2.4 milionë vizitorë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, ose 42 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. TEA është aplikacioni i parë i krijuar në Shqipëri, si kalendari i parë digjital për eventet e turizmit kulturor, sporteve dhe të traditës, i disponueshëm në Apple Store dhe në Play Store. Në aplikacionin TEA do të pasqyrohen eventet e kategorive të ndryshme si Art Fest, Trashëgimi Kulturore, Festivale Muzikore, Sport, Koncerte, Folklor, Festa Lokale, Arte Pamore, Agroturizëm e Kulinari dhe Teatër. Janë mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1110 evente nga më të ndryshmet dhe TEA do të sjellë informacionin për çdo event, për çdo preference e grupmoshë, në shqip dhe në anglisht. Çdo event brenda aplikacionit do të ketë faqen e tij të dedikuar me informacion të detajuar dhe përdoruesit do të njoftohen për eventet e tyre të preferuara kur data e tyre të afrojë. TEA ka edhe disa butona të dobishëm për të përmirësuar përvojën e përdorueseve të saj. Vetëm me një trokitje, butoni “Vendndodhja” do t’i drejtojë ata në vendin e ngjarjes. Butoni “Kalendari” e ruan ngjarjen në kalendarin personal të përdoruesit, duke u siguruar që ai të mos humbasë asnjë event për shkak të harresës në kohë. Dhe për kë dëshiron t’i ndajë emocionet që falin eventet e turizmit, butoni “Share” u lejon përdoruesve të përhapin me lehtësi fjalën te miqtë dhe familjet e tyre. Dhe së fundi, butoni “Zemra” u lejon atyre të ruajnë ngjarjet e tyre të preferuara në skedën e preferencave, në mënyrë që t’i rivizitojnë ato në çdo kohë. atsh