Kalaja është një kështjellë katërkëndëshe që e ndërtoi Ali Pasha në Butrint, pranë grykës së derdhjes në det të kanalit të Vivarit. Kalaja e Vivarit u ndërtua rreth viteve 1800, për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze të Korfuzit. Kështjella ka përmasa 20 x 30 m, me katër kulla të vendosura në qoshet. Dy kullat e drejtuara nga deti kanë planimetri rrethore, ndërsa dy të tjerat, në anë të kundërt janë katërkëndëshe. Midis këtyre të fundit ndodhet edhe porta kryesore e kështjellës. Një portë tjetër më e ngushtë është hapur në mesin e murit verior, në drejtim të bregut të kanalit. Mënyra e mbrojtjes së kësaj porte të tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë. Përveç dy kullave, që e mbronin nga ana e jashtme, ajo ka dhe një sistem të brendshëm fortifikimi. Tek kjo kala mund shkohet vetëm me varkë, pasi është e rrethuar nga uji.