Kalaja e Tiranës vitet e fundit është kthyer në atraksionin më të vizituar nga turistët e huaj, të cilët kanë kuriozitet për historinë, traditën dhe kulturën e kryeqytetit, të trashëguar nëpër breza.
Pas Pazarit të Ri dhe sheshit “Skënderbej”, Kalaja e Tiranës është një tjetër hapësirë për t’u vizituar në kryeqytet. Prej vitit 2019 Kalaja jo vetëm është zbuluar dhe kuruar, por ndodhet në një pikë të vizitueshme për qytetarët, si dhe turistët vendas e të huaj, duke e bërë kryeqytetin një dekor të larmishëm.
Ajo u është kthyer qytetarëve si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, për të shërbyer si një mjedis kulinarie për gatimet tradicionale shqiptare, por edhe si një zonë për zhvillimin e artizanatit, kulturës dhe artit.