Ndriçimi, i cili ravijëzon konturet e një prej dëshmive më tërheqëse të historisë shqiptare, e ka shndërruar kalanë e Rozafës në një pikë takimi për vizitorë vendas dhe të huaj, që dëshirojnë të shijojnë mbrëmjet mes historisë, si edhe panoramën mbresëlënëse të qytetit të Shkodrës nga lart.

Kalaja e Rozafës është një prej fortifikimeve më të rëndësishme që gjenden në vendin tonë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ajo ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Hyrja kryesore për në kala ndodhet në verilindje.

Kalaja e Rozafës mundëson një pamje 360° të qytetit të Shkodrës, ndërkohë që vizitorët, përjetojnë historinë e lashtë të këtij vendi sa herë e vizitojnë atë.