Turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas, të shumtë në numër kanë zgjedhur të vizitojnë kalanë e Rozafës në Shkodër këtë të diel.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga grupe të mëdha turistësh që kanë vizituar kalanë e Rozafës, duke u njohur me një prej bukurive të qytetit verior.
“E diel korriku në kalanë e Rozafës”, shkruan Rama.
Kalaja e Shkodrës ka pozicion të atillë që nuk tërheq vetëm për vlerat e trashëgimisë historike, por edhe për peizazhet fantastike që mund të shihen prej saj me liqenin dhe luginën e Bunës.
Kalaja e Rozafës, simbol i qytetit të Shkodrës dhe krenaria e trashëgimisë sonë kulturore, ka mikpritur rreth 80,000 vizitorë gjatë periudhës janar–qershor 2025.
Statistikat u bënë publike sot nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, sipas së cilës kjo shifër përfaqëson një rritje domethënëse krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kalaja e Rozafës të mundëson një pamje 360° që të lë pa fjalë, ndërkohë që përjeton historinë e lashtë të këtij vendi.
Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjërë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta në mes vete. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit.
Muzeu i Rozafës është i vendosur në oborrin e tretë të Kalasë, në godinën veneciane të njohur me emrin “Kapitaneria”. Këtu është skalitur e kaluara rreth 4000-vjeçare e Kalasë dhe e familjeve më me zë të vendit prej periudhave të ndryshme kohore.
Turistët e shumtë shqiptarë dhe të huaj që e vizitojnë këtë objekt informohen në gjuhën shqipe dhe atë angleze.