Tranzicioni pas komunizmit i Shqipërisë ishte kompleks — i shënuar nga paqëndrueshmëria ekonomike, migrimi masiv, fragmentimi social dhe përpjekja për të ruajtur dinjitetin gjatë momenteve të krizës së thellë.

Përditshmëria e shqiptarëve në fillim të viteve ’90 u kap mjeshtërisht përmes objektivit të fotografes Jutta Benzenberg, e cila ndërtoi një arkiv që ishte po aq personal, sa edhe kolektiv.

Vite më vonë, pasi një zjarr shkatërroi pjesën më të madhe të tij, bashkë me Olsi Hoxhën iu rikthyen negativeve të djegura, duke i shndërruar në imazhe që tanimë, qëndrojnë mes kujtesës dhe artit.

Të shtunën, në Galerinë hbs në sheshin “Skënderbej”, ky udhëtim mori një formë tjetër me hapjen e ekspozitës dhe prezantimin e librit të saj fotografik “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet”, në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Shqipëri dhe Ambasadën gjermane.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato në fjalën e tij në çeljen e kësaj ekspozite u shpreh se, “Bashkimi Evropian beson në rëndësinë e përballjes me të kaluarën me ndershmëri — jo për të mbetur peng i saj, por për të mësuar prej saj. Demokracitë ndërtohen jo vetëm mbi ligje dhe institucione, por edhe mbi kujtesën — gatishmërinë për të parë se ku kemi qenë dhe vendosmërinë për të ecur përpara”.

Të gjithë janë të ftuar të vizitojnë galerinë, të shfletojnë librin dhe të shohin ekspozitën që sjell në vëmendje kujtesën e gjallë të kohës.