Jup Kastrati, figurë e shquar e albanologjisë

0
3

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujton sot në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, dijetarin dhe figurën e shquar të albanologjisë, prof. dr. Jup Kastrati. Prof. Jup Kastrati lindi në Shkodër, më 15 prill 1924 në një familje shkodrane me mirëqenie ekonomike të lartë. Më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” në Torino. Gjatë pushtimit Italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në “Campo Concetramento”, në kodrat e Tepes në Shkodër, pastaj është mbajtur peng në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit gjatë muajve korrik-shtator 1943. Pas Çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin e Tiranës. Tema e tij e diplomës mbrojtur 1958 titullohet: “Kontribute për studimin e Ndre Mjedës”. Mbrojti gradën Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me dizertacionin “Historia e gramatologjisë shqiptare” (1935- 1944) me 1500 faqe daktilografike. Më 1987 i është akorduar titulli Profesor (Professor Emeritus), në Këshillin shkencor të Universitetit të Tiranës. Ka shërbyer në arsim 47 vjet, (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në arsimin e lartë. Prof. Jup Kastrati është është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (2 shtator 1957), dhe ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës. Është nderuar me medalje e urdhëra të ndryshëm ndër të cilët përmendim “Mësues i Popullit” (1987), si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”(15 prill 1999), si dhe “Qytetar Nderi i Shkodrës” (2002). Është përfshirë në “Mendjet e ndritura të shekullit XXI” nga Instituti Amerikan i Biografisë. Është autor i 38 librave me karakter shkencor. Kontributi i qenësishëm studimor i tij mbi arbëreshët, numëron disa vepra ndër të cilat përmendim: “Studime për De Radën” Monografi, Nju Jork, 1999; “Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat)” Monografi, Tiranë, 1979; “Autobiografia e De Radës” ( 1999); “J. De Rada, Këngë të Milosaut”, (1956); Jeronim de Rada “Jeta dhe veprat” (1962); “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare” (1962, 2003); “J. De Rada, Skanderbeku i pafanë”, (1987); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Bibliografi (1454 – 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor); Veprat historiko – filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës”, në tre versione: italisht, në të folmen e arbëreshëve (transkriptim) dhe në përshtatjen e gjuhës së sotme shqipe, botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).