Masat përgatitore për menaxhimin e emergjencave civile dimërore me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe lëvizjes normale gjatë periudhës së dimrit ishte në qendër të një takimi të organizuar nga Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole. Në takim ishin të pranishëm edhe Drejtori i Rajonit Qendër-Lindje të Autoritetit Rrugor Shqiptar, përfaqësues të bashkive të qarkut, Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor pranë DVP Korçë dhe subjektet kontraktore që mirëmbajnë akset kryesore nacionale dhe ato turistike në qarkun e Korçës. Jole tha se “është me shumë rëndësi angazhimi i të gjitha institucioneve dhe subjekteve përgjegjëse, në kushtet e dimrit në veçanti për zonën tonë e cila gjatë periudhës së dimrit përballet me rënien e reshjeve të dëborës, mot të ftohtë e temperatura të ulëta”. Në rolin e Kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes Civile të qarkut, Jole i kërkoi subjekteve që për të gjtha akset kryesore nacionale nga Qafa e Thanës-Pogradec-Korçë-Bilisht (doganë), Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë-Leskovik, si dhe rrugët turistike Voskopojë, Dardhë dhe Prespë, të zbatohen rigorozisht termat kontraktuale në kuadër të përgjegjësisë direkte që ata kanë për mirëmbajtjen dimërore të segmenteve rrugore. “Të gjitha subjektet kontraktore duhet të marrin masat e nevojshme përgatitore, të kenë identifikuar që tani zonat më me risk referuar problematikave të konstatuara gjatë periudhës së vitit të kaluar, përqendrimin e sasive të nevojshme të materialeve e të kripës, automjetet borëpastruese dhe personelin e nevojshëm manovrator, duke qëndruar në gatishmëri të plotë për çdo nevojë që do të paraqitet e që mund të krijojë vështirësi qarkullimi në periudhën e dimrit”, nënvizoi Jole. Prefekti Jole theksoi edhe nevojën e bashkëpunimit me strukturat e policisë rrugore në funksion të zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve, si dhe një qasje më të vëmendshme për sensibilizimin dhe njoftimin e qytetarëve në kohë për ato raste kur parashikimet e motit sinjalizojnë situata më të ngarkuara.
Jole: Masa për menaxhimin e emergjencave civile dimërore
RELATED ARTICLES