Për Kishën Orthodhokse, Joani është më i madhi ndër profetët, për këtë arsye ai paraqitet në ikona, gjithnjë në të majtë të Jezu Krishtit. Ai dëshmoi për të vërtetën dhe për ligjin e shenjtë të Perëndisë, me qëllim që ky ligj të ruhej i pastër e i pacënuar. Njëlloj edhe për katolikët, Shën Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhrave të Hyjit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kur akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit. Të shumta janë në vendin tonë, kishat që i janë kushtuar këtij shenjtori. Gjithashtu edhe ikona të vjetra, të gjetura në kishat orthodhokse, të cilat tashmë i janë nënshtruar restaurimeve dhe janë rikthyer për besimtarët dhe vizitorët e shumtë. Mund të përmendim “Shën Joan Pagëzori” e Vitit 1835 me autor Naum Çetiri (i biri Joan Çetirit), pjese e koleksionit të muzeut ikonografik “Onufri”. “Joan Pagëzori në Këmbë” i gjetur në kishën e Shën Kollit në fshatin Vanaj të Fierit me autor Kostandin Zografin. Si edhe ikonën “Joan Pagëzori me skena”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar marrë prej Kishës së Manastirit Shën Pjetri dhe Pavli në Vithkuq të Korçës.