Një ngatërrese midis dy të porsalindurve në një spital në Austrinë jugore është zgjidhur pas 35 vitesh më vonë nëpërmjet një testi të ADN-së.

”Dy gratë, të lindura në tetor 1990 në Graz, u takuan së fundmi me njëra-tjetrën dhe prindërit e tyre biologjikë pasi zbuluan se ishin ndërruar në lindje”, raportoi televizioni austriak, ORF.

Sipas gazetës ”Kronen Zeitung” , të dyja ishin foshnje me lindje të parakohshme, të cilat fillimisht u mbajtën në inkubatorë para se të bashkoheshin me nënat e tyre.

Spitali konfirmoi ngatërresën dhe zgjidhjen e saj.

“Na vjen shumë keq që ky gabim ndodhi në atë kohë”, u shpreh drejtori i spitalit në një deklaratë.

Njëra nga gratë mësoi vite më parë se nuk ishte fëmija biologjik i çiftit që e rriti, pasi gjatë një dhurim gjaku zbuloi se grupi i saj i gjakut ishte i papajtueshëm.

Pavarësisht hetimeve të spitalit dhe një apeli publik në vitin 2016, familja tjetër nuk u gjet.

Gruaja e dytë e zbuloi të vërtetën vetëm disa javë më parë, pasi mësoi grupin e saj të gjakut gjatë shtatzënisë dhe e lidhi atë me rastin e pazgjidhur të shkëmbimit të foshnjave.

”Më pas ajo kontaktoi gruan tjetër dhe një test ADN-je konfirmoi lidhjen e tyre biologjike”, sipas ORF.

Ajo tha se ndihej sikur kishte pasur një motër për 35 vjet, duke e përshkruar përvojën si të çuditshme, por të bukur.

Gruaja tjetër, e cila kishte ditur për ngatërresën për disa vite, e përshkroi ribashkimin e tyre si një ndjenjë të papërshkrueshme.