Jehonë Shqipërisë për titullin “Vend Nderi 2025” në ITB Berlin

0
2

Mediet e huaja të njohura në fushën e turizmit dhe udhëtimeve i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë Shqipërisë, që u nderua pak ditë më parë zyrtarisht me titullin “Vendi i Nderit” i ITB – Berlin 2025, që është panairi më i madh në botë për turizmin. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi foto nga të shkrimeve nga këto medie, teksa shkroi se “mediet e njohura të turizmit dhe udhëtimeve kanë kanë qenë tërë sy e vesh nga Shqipëria duke i shtuar jehonën titullit që sapo morëm në Berlin si “Vendi i Nderit 2025”, për të theksuar rritjen turistike dhe modelin unik të mikpritjes shqiptare”. Kumbaro e cilësoi jehonën e shtypit të huaj për vendin tonë, pjesë të promovimit të Shqipërisë turistike. “Nis kështu promovimi 1-vjeçar i rrugëtimit tonë me panairin më të madh në botë të turizmit ITB Berlin”, tha ajo. Në edicionin e këtij viti Shqipëria mori pjesë me një koncept të ri të promovimi, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantuan në mënyrë gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit. Gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin, ministrja Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili firmosën marrëveshjen e organizimit të mbledhjes së 70-të të Komisionit për Europën të UNWTO në Tiranë, në datat 7-9 prill. UNWTO e renditi Shqipërinë të parën në Europë për rikuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 vendi ynë u vizitua nga 1 milion vizitorë të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.