Duke marrë fjalën në këtë samit, Raimund Jehle, përfaqësues i Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) tha se, “sistemet agroushqimore lidhen me çdo aspekt të ekzistencës njerëzore dhe janë të lidhura ngushtë me shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, tokën, ujin, klimën, biodiversitetin dhe ekonominë”.
Sipas tij, krizat e shumta që prekin rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, si dhe sfidat botërore si ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja e mjedisit, ndikojnë ndjeshëm në transformimin e sistemeve agroushqimore.
Në këtë konteks nënvizoi ai, vlerësimi i situatës lidhur me sistemet agroushqimore në rajon tregon se ato po dështojnë në nivele të shumëfishta.
“Arritja e sigurimit ushqimor, të ushqyerit dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-ve) deri në vitin 2030 kërkon një sërë veprimesh të bashkërenduara në disa fronte: politika dhe programe koherente, rritje të financimit dhe investimeve në përputhje me përparësitë dhe kërkesat kombëtare për bashkëpunim më të madh në sektorë të ndryshëm dhe me palë të ndryshme interesi”, u shpreh Jehle.