Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve, e cila është më 18 prill, Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kanë nisur të organizojnë aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin e individëve në vlerësimin dhe angazhimin e tyre ndaj trashëgimisë kulturore dhe monumenteve historike që janë me rëndësi të madhe për ndërgjegjen kolektive. Tema e këtij viti është: “International Day of Monuments and Sites 2024: “Disasters & Conflicts Through the Lens of the Venice Charter” (Fatkeqësitë dhe Konfliktet nga Këndvështrimi i Kartës së Venecias).
Tema e këtij viti thekson nevojën urgjente për të trajtuar pasojat e ndryshimeve klimatike, në monumentet dhe sitet historike. Në këtë kuadër, DRTK Shkodër përzgjodhi të publikonte një foto nga Manastiri i Shën Sergjit dhe Bakut, i njohur si Kisha e Shirqit. Ndërsa DRTK Berat e çeli javën e aktiviteteve për trashëgiminë, me ekspozitën lëvizëse “Monumente në vite”, me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Zoi Vangjeli”, Velabisht. Ekspozita është një retrospektivë me foto bardhezi dhe me ngjyra, të cilat nxitën vëmendjen e të rinjve mbi monumentet dhe trashëgiminë duke i njohur dhe ndërgjegjësuar për vlerat e tyre kulturore dhe turistike.