Nën moton “Your Skills Your Future”, Java e Evropës 2023 do të nisë një udhëtim emocionues nëpër Shqipëri, për të treguar rininë e talentuar të vendit. Duke qenë se ky është Viti Evropian i Aftësive, do të theksohet rëndësia e zhvillimit të aftësive, duke nxjerrë në pah arritjet e të rinjve që kanë ecur përpara me mbështetjen e BE-së. Java e Evropës këtë vit ndalon në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Cërrik, Dibër, Korçë dhe Gjirokastër. Aktivitetet do të nisin me zbulimin e mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, i restauruar falë programit EU4Culture. Përpara ceremonisë së inaugurimit do të ketë një performancë baleti nga Enada dhe Gerd Vaso. Ndërsa në darkën e datës 16 maj do të ketë një koncert me Kamela Islamaj, Orgesa Zaimi, Gjerg Kaçinari dhe Sardi Strugaj. Më 18 maj, në Dibër, do të promovohen prodhime lokale dhe potenciali turistik i kësaj zone në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë. Shkodra me trashëgimi kulturore të pasur do të jetë ndalesa e radhës e Javës e Evropës 2023, me Festivalin e Xhubletës. Prodhues të elementeve të ndryshme të xhubletës do të tregojnë aftësitë e tyre përpara brezit të ri. Ndërkohë që paralelisht do të çelet një ekpozitë e fotografit Roland Tasho, me fotografi të personazheve të njohur, veshur me xhubletë. Data 20 maj do të sjellë në Cërrik një ditë trajnimi mbi karrierën si dhe do të festohet Dita Botërore e Bletës. Një ditë më pas në Vlorë do të vihet theksi tek investimet e BE-së në infrastrukturën e qytetit dhe në aftësimin e njerëzve për të ofruar shërbimin më të mirë të mundshëm për turistët që do të shkojnë aty. Gurpunuesi Ermal Makri nga Gjirokastra do t’u tregojë të rinjve përmes një masterclass-i se si të bëjnë art me gurët e njëkohësisht të mbajnë gjallë një traditë të lashtë familjare. Më pas do të jetë radha e Korçës dhe e kombinimit të aftësive në fushën digjitale me ato të artizanëve, për të mbyllur me 26 maj, Javën e Evropës 2023, me një panair digjital dhe koncert festiv në Tiranë. atsh
Java e Evropës, udhëtim me rininë e talentuar në 7 qytete
RELATED ARTICLES