Japonia e sheh ambicien në rritje të Kinës për pushtet si “sfidën e saj më të madhe strategjike”, sipas një dokumenti mbi mbrojtjen, i miratuar sot nga qeveria e kryeministrit japonez Fumio Kishida. ”Japonia duhet t’i përgjigjet kësaj me bashkëpunim me fuqinë e saj mbrojtëse, SHBA dhe vendet e tjera me të cilët ndan të njëjtin mendim”, thuhet në dokument. Ai pason një ndryshim në strategjinë e sigurisë së Japonisë, të zbatuar në dhjetor. Në një largim nga doktrina e saj e sigurisë deri tani, ekskluzivisht e orientuar drejt mbrojtjes, Japonia dëshiron të vendosë veten në një pozicion për të eliminuar pozicionet e raketave armike. Si rezultat, shpenzimet për forcat e saj të armatosura duhet të rriten masivisht. Strategjia e re e mbrojtjes dhe ky dokument tregojnë se sa e shqetësuar është Japonia për ambiciet ushtarake në rritje të Kinës. ”Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut po kontribuojnë në mjedisin më serioz dhe më të komplikuar të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore”, sipas qeverisë japoneze. Të enjten, delegatët rusë dhe kinezë iu bashkuan udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në Phenian për një paradë ushtarake që shfaqi dronët e sapo zhvilluar të vendit të izoluar dhe raketat me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi, sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut. Fakti që një delegacion rus i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu mori pjesë në paradë ngre shqetësime për rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut./ atsh