Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos u është drejtuar me një mesazh urimi besimtarëve për festën e Pashkës ortodokse. Në mesazhin e tij, Janullatos solli në vëmendje betejat dhe vështirësitë që u përball njerëzimi vitet fundit, aksidentin tragjik hekurudhor në Greqi, numrin e madh të të prekurve nga tërmeti në Turqi, si dhe pikëllimin e papërshkrueshëm për shkak të luftës së ashpër në Ukrainë. “Hidhërimi dhe gëzimi gjenden përkrah njëri-tjetrit në jetën njerëzore. Kjo e vërtetë theksohet fort në ngjarjet e Javës së Madhe. Përpara Pësimit, gjatë Darkës Mistike, Krishti ua bëri të qartë nxënësve: «Kështu dhe ju pra tani keni hidhërim, por kur përsëri do t’ju shoh dhe zemra juaj do të gëzohet dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin» (Jn. 16:22)”, u shpreh ai. Kryepeshkoi nënvizon se ngjallja e Krishtit vërteton fitoren e së vërtetës ndaj gënjeshtrës, të dashurisë ndaj urrejtjes, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen. “Në rrugëtimin tonë nuk mungojnë ngjarjet e dhimbshme të paparashikueshme, fatkeqësitë që kapërcejnë forcat tona dhe na vënë poshtë. Ndihemi të pafuqishëm për t’i përballuar dhe shpesh na pushton frika. Megjithatë, vullneti ynë le të mos bjerë në plogështi. Për sa varet nga ne, le të lëmë që drita e Ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe Shpirti i Shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim, shpresë”, shprehet Janullatos. Ai uron të gjithë besimtarët që: “Gëzimi i Ngjalljes le ta ndriçojë, pra, jetën tonë, duke na çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla. Siguria e ngjalljes, fryma ngjallësore, le të jenë mbështetje dhe burim gëzimi çdo ditë në jetën tonë”.