Nuk jam penduar, por nuk po them që kisha të drejtë, është testamenti i Jacques Delors, ish-president i Komisionit Evropian, një nga baballarët e euros dhe tregut unik, i cili vdiq në moshën 98-vjeçare, në një intervistë me ”Le Point”, në vitin 2021. I lindur në Paris në 1925 në një mjedis katolik, Delors mbajti postin e ministrit të Ekonomisë nën presidentin François Mitterrand (1981-1984) përpara se të mbërrinte në Bruksel, duke shënuar një epokë unike në Kontinentin e Vjetër. Ai qëndroi në krye të Komisionit nga viti 1985 deri në 1995, duke mbajtur tre mandate radhazi (rasti i vetëm deri tani) gjatë të cilit u krijua tregu i përbashkët, u reformua politika e përbashkët bujqësore dhe Akti Unik Evropian, marrëveshjet e Scengenit dhe mbi të gjitha Traktati i Mastrihtit, i cili themeloi Bashkimin Evropian, duke vënë në lëvizje bashkimin ekonomik dhe monetar që do të çonte në krijimin e euros. Aktiviteti i tij politik u frymëzua nga sindikalizmi i zhytur në katolicizmin social, përpara se të kalonte në Partinë Socialiste. Themeluesi i grupit të diskutimit dhe i revistës ”Citoyens 60”, Delors gjithashtu bashkëpunoi me revista të së majtës ekstreme në një rrugë intelektuale që e çoi atë nga dëgolizmi social i kryeministrit Jacque Chaban-Delmas në socializmin e François Mitterrand. Më në fund ai i përmblodhi mendimet e tij në fjalinë “unë jam socialdemokrat”. Në vitin 1994 ai shkatërroi shpresat e të majtës franceze duke refuzuar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 1995, pavarësisht se ishte favoriti i madh në sondazhe, një heqje dorë spektakolare e shpallur në televizion para 13 milionë shikuesve. I martuar në vitin 1948 me një kolege që ndante besimet e tij sindikaliste dhe fetare, Marie Lephaille, e cila vdiq më vonë në vitin 2020, Jacques Delors pati dy fëmijë, Martine Aubry, e lindur në 1950 dhe Jean-Paul, e lindur në 1953 dhe vdiq nga leucemia në 1982. Ka qenë vajza e tij, kryebashkiakja socialiste i Lille, e cila ka njoftuar vdekjen e babait të saj, duke saktësuar se ai ka vdekur “në shtëpinë e tij në Paris, në gjumë”. Në mars 2020, Delors u rikthye edhe një herë në qendër të vëmendjes duke u bërë thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian për solidaritet më të madh në nivel global, në një moment vendimtar për të 27-at që po luftonin me kërkimin e një përgjigjeje të përbashkët të përballë pandemisë Covid-19. Me grupet e tij të mendimit, ”Witness Club” ose ”Notre Europe” (i cili më vonë u bë ”Instituti Jacques-Delors” me zyra në Paris, Bruksel dhe Berlin), ai mbrojti një fuqizim të federalizmit evropian, duke bërë thirrje për më shumë “guxim” përballë Brexit-it dhe sulmeve nga populistët.
Jacques Delors babai i Bashkimit modern Evropian
RELATED ARTICLES