Ushtria izraelite kreu sot një seri sulmesh ajrore mbi objektivat e Hamasit në Rripin e Gazës pas një sulmi të madh nga militantët palestinezë një ditë më parë.
Qindra njerëz nga të dyja palët janë vrarë në luftimet deri më tani, me burime mjekësore në Izrael që raportojnë rreth 300 të vdekur atje dhe rreth 1 600 të plagosur që nga e shtuna në mbrëmje.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të hakmerret për sulmin e befasishëm që ndodhi në 50-vjetorin e luftës së Yom Kipur, duke paralajmëruar për “një luftë të gjatë dhe të vështirë” të detyruar ndaj vendit të tij nga Hamasi, i cili sundon në Gaza.
Hamasi është klasifikuar si organizatë terroriste nga BE, SHBA dhe Izraeli.
”Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë 313 palestinezë dhe kanë plagosur pothuajse 2 000 në Rripin e Gazës deri më tani”, thanë autoritetet lokale shëndetësore.
”Midis të vdekurve ishte lideri i lartë i Hamasit, Ayman Younis, trupi i të cilit u nxor nga rrënojat të dielën pas granatimeve të shtëpisë së tij në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazan qendrore”, konfirmoi agjencia e mbrojtjes civile.
Militantët palestinezë lëshuan sot më shumë raketa në qytetet kufitare izraelite.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se sirenat paralajmëruese u dëgjuan vazhdimisht në qytetet pranë zonës bregdetare palestineze gjatë gjithë mëngjesit.
Sipas raportimeve të mediave, një person ka mbetur i plagosur rëndë kur një raketë ka goditur qytetin kufitar Sderot. IDF dëshiron të evakuojë zonën kufitare dhe të zhvendosë popullsinë në pjesë më të sigurta të vendit.
Përveç viktimave nga aksionet ushtarake, raportohet se dhjetëra izraelitë janë marrë me forcë në Rripin e Gazës, duke përfshirë gra, fëmijë dhe persona të moshuar.
Në të njëjtën kohë, shqetësimet u rritën për një zgjerim të luftimeve në Lindjen e Mesme.
”Një grup tjetër militant, milicia shiite Hezbollah në Liban, gjuajti me raketa territorin e pushtuar nga Izraeli nga veriu sot në mëngjes”, sipas IDF.
”Forcat izraelite bombarduan zonën në Liban nga e cila u hodhën raketat”, tha një zëdhënës i IDF.
Hezbollahu, i cili është aleat i ngushtë me Iranin, mori përgjegjësinë për lëshimin e raketës, gjë që u konfirmua edhe nga Misioni Vëzhgues i Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL).
Mesditën e sotme, pati një raund të dytë granatimesh nga Libani.
Pas një takimi të shefave të sigurisë të dielën, Netanyahu u zotua të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe organizatës së Xhihadit Islamik “në mënyrë që ata të mos jenë më në gjendje dhe të gatshëm të kërcënojnë dhe sulmojnë qytetarët e Izraelit për shumë vite”.
“Ne po fillojmë një luftë të gjatë dhe të vështirë të detyruar mbi ne nga një sulm vrasës nga Hamasi”, tha Netanyahu.
Prandaj, Izraeli njoftoi një veprim mbrojtës të quajtur ”Shpatat e hekurta”, pas sulmit nga Gaza dhe thirri rezervistët.
Në komentet e mëparshme, Netanyahu u zotua t’i kthejë “të gjitha vendet ku Hamasi është vendosur, fshehur dhe vepron në […] në ishuj rrënojash”.
“Kjo luftë do të marrë kohë. Ditë sfiduese na presin”, tha ai.
Duke u bashkuar me dënimin jashtë shtetit të sulmeve palestineze, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ishte mes atyre që paralajmëruan për një përshkallëzim të madh të mundshëm në rajon.
Duke folur për BBC, zëdhënësi i Hamasit, Ghazi Hamad tha se grupi kishte marrë mbështetje të drejtpërdrejtë për sulmin nga Irani.
Teherani ishte zotuar të “qëndronte pranë luftëtarëve palestinezë deri në çlirimin e Palestinës dhe Jeruzalemit”, tha ai.
Duke qenë fillimisht në befasi, ushtria izraelite të dielën koordinoi operacionet kundërsulmuese në Gaza.
”Trupat ndaluan pesë militantë të tjerë palestinezë që po përpiqeshin të hynin në Izrael në plazh”, tha IDF.
Radio izraelite raportoi se burrat ishin vrarë, megjithëse nuk kishte asnjë konfirmim nga IDF.
Në Bregun Perëndimor, gjashtë palestinezë vdiqën gjithashtu në përleshjet me ushtrinë izraelite në disa vende të shtunën, duke përfshirë një djalë 13-vjeçar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Ramallah.
Një tjetër burrë u qëllua për vdekje nga ushtarët izraelitë pas një tentative sulmi me thikë, sipas burimeve palestineze.
Ndërkohë, në Izrael po zhvilloheshin bisedime për të formuar një qeveri emergjente. Netanyahu u kishte ofruar dy liderëve të opozitës Yair Lapid dhe Benny Gantz hyrjen në një qeveri emergjente, njoftoi një zëdhënës i partisë Likud të Netanyahut.
Lapid kishte sinjalizuar më parë gatishmërinë e tij për ta bërë këtë. Sipas raportimeve të mediave, megjithatë, një takim midis Lapid dhe Gantz mbeti pa marrëveshje.