Rreth 30 ambasada izraelite janë mbyllur në mbarë botën nga frika e sulmeve për kërcënimet iraniane pas bastisjes në konsullatën iraniane në Damask që vrau zyrtarë të lartë të Teheranit. Sipas burimeve diplomatike masat e sigurisë janë shtuar në të gjitha institucionet izraelite në mbarë botën që nga 7 tetori. Kryeministri Benjamin Netanyahu mblodhi dje në mbrëmje Këshillin e Sigurimit në Jerusalem, në fund të një dite plot shqetësim dhe alarm edhe tek njerëzit e thjeshtë.
“Ne do të dimë të mbrohemi dhe do të veprojmë sipas parimit të thjeshtë se do të dëmtojmë këdo që na dëmton apo dëshiron të na dëmtojë”, paralajmëroi kryeministri. Një përgjigje nga Teherani pas bastisjes izraelite kundër konsullatës iraniane në Damask është marrë si e mirëqenë nga shumë analistë dhe vetë aparati mbrojtës izraelit është i bindur se kjo do të ndodhë. “Na presin ditë komplekse, nuk është e sigurt që më e keqja është prapa nesh”, pranoi kreu i shërbimeve sekrete ushtarake, Aharon Aliva.
“Jemi gati për të gjithë skenarët”, saktësoi zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari, duke shtuar se “forcat janë të vendosura mirë në formacionet mbrojtëse dhe sulmuese” me mbrojtje me shumë nivele dhe avionë në qiell 24 orë në ditë”. Gazeta izraelite ”Haaretz” raporton tre skenarë të hakmarrjes së mundshme, një sulm me dron ose me raketa direkt nga Irani që synon infrastrukturën izraelite, hipoteza që duket më pak e mundshme, dhe sulme intensive me raketa nga Libani ose Siria nëpërmjet Hezbollahut.