Ambasada e Italisë në Prishtinë ka organizuar pritje për personalitete të larta në Kosovë, me rastin e festës kombëtare italiane.

Ambasadori i ri i Italisë, Maurizio Antonini, tha se Dita e Republikës së Italisë është një simbol i unitetit kombëtar dhe i demokracisë.

Ai para të pranishmëve tha se Italia mbështet rrugën euro-integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian duke përmendur rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkan si një strategji kyçe për stabilitetin politik dhe sigurinë e të gjithë kontinentit.

Një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajti edhe presidentja Vjosa Osmani duke vlerësuar mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës si një mike e palëkundur në kohët më të vështira, si dhe gjatë rrugëtimit të vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Pjesë e festës kombëtare të Italisë ishin edhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe liderë partiakë, por jo edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.